Çmendet Premier League dhe trondit Europën: miliona që fluturojnë, goditje galaktike në janar dhe Serie A që ndjek nga afër, mes ambicies dhe realitetit

Mbi 450 milionë euro të shpenzuara nga klubet angleze, top-10 e transferimeve më të shtrenjta flet vetëm “anglisht”, ndërsa Italia surprizon me 240 milionë investime pa hyrë në elitën e supergoditjeve

Nëse merkato dimërore zakonisht shërben për riparime, përmirësime dhe lëvizje të shënjuara, këtë janar Europa ka parë diçka tjetër. Ka parë Premier League të shndërrohet në një stuhi financiare, një vorbull shifrash marramendëse që ka fshirë çdo kufi logjike. Mbi 450 milionë euro të investuara në pak javë, një tjetër demonstrim force nga kampionati më i pasur në botë, që vazhdon të luajë një lojë të vetën, larg çdo krahasimi.

Surpriza e vërtetë, megjithatë, vjen nga Italia. Serie A mbyll merkaton e janarit me mbi 240 milionë euro të shpenzuara, një shifër që e vendos në vendin e dytë në Europë për investime. E megjithatë, në një kontrast thuajse ironik, asnjë transferim italian nuk arrin të futet në top-10 e goditjeve më të shtrenjta të dimrit. Një treg i gjallë, por i heshtur. Aktiv, por pa bujë. Një merkato që punon më shumë në prapaskenë sesa nën dritat e reflektorëve.

Anglia pa frena: Citizens, Reds, talente dhe shumë flori i hedhur në merkato

Premier League ka bërë atë që di të bëjë më mirë: të shpenzojë. Dhe ta bëjë pa u dridhur qerpiku. Nga goditja e bujshme e Manchester City-t me ardhjen e Semenyo-s, te lëvizja e fundit e Liverpool-it për një mbrojtës të lindur në vitin 2005, mesazhi është i qartë: e tashmja dhe e ardhmja ndërtohen me çmim të lartë.

Në këtë top-10 të transferimeve më të kushtueshme të janarit flitet vetëm anglisht. Shifra që për kampionate të tjerë do të përbënin buxhet sezonal, për klubet e Premier League janë thjesht investime strategjike. Edhe largime të bujshme, si kthimi i Paquetà-s në Brazil, janë pjesë e një mozaiku të çmendur, ku paratë qarkullojnë me shpejtësinë e një kundërsulmi.

Serie A mes zgjuarsisë dhe hijes: shumë lëvizje, pak zhurmë

Italia surprizon në total, por jo në tituj. Mbi 240 milionë euro të shpenzuara tregojnë një kampionat që nuk është më pasiv, por që zgjedh rrugë alternative. Shumë operacione “të vogla”, lojtarë funksionalë, talente të rinj dhe scommesse të menduara për të ardhmen.

Emra si Mëité, talenti i lindur në 2007 që i bashkohet skuadrës së Simone Inzaghit, tregojnë se edhe Serie A po përpiqet të ndryshojë mentalitet, duke investuar herët për të korrur më vonë. Nga ana tjetër, dy largime të rëndësishme nga kampionati konfirmojnë një janar të lëvizshëm edhe në dalje, ku Italia vazhdon të jetë treg shitës për ofertat e mëdha nga jashtë.

Në fund, fotografia është e qartë: Premier League jeton në një dimension tjetër, Serie A përpiqet të rritet me inteligjencë. Dy filozofi, dy botë, një Europë e ndarë mes atyre që blejnë pa kufi dhe atyre që duhet të zgjedhin me kujdes. Dhe merkatoja e janarit, këtë herë, e ka treguar pa asnjë filtër.

Nga Semenyo te lamtumirat e Lookman e Castellanos: ja kush janë goditjet më të kushtueshme të merkatos dimërore

 

  1. Antoine SEMENYO

Nga Bournemouth te Manchester City – 72 milionë

 

  1. Jeremy JACQUET

Nga Rennes te Liverpool – 70 milionë

 

  1. Jørgen STRAND LARSEN

Nga Wolverhampton te Crystal Palace – 49,7 milionë

 

  1. Lucas PAQUETÁ

Nga West Ham te Flamengo – 42 milionë

 

  1. Conor GALLAGHER

Nga Atlético Madrid te Tottenham – 40 milionë

 

  1. Brennan JOHNSON

Nga Tottenham te Crystal Palace – 40 milionë

 

  1. Ademola LOOKMAN

Ngal’Atalanta te Atlético Madrid – 35 milionë

 

  1. Oscar BOBB

Nga Manchester City te Fulham – 31 milionë

 

  1. Kader MËITÉ

Nga Rennes te Al-Hilal – 30 milionë

 

  1. Valentín CASTELLANOS

Nga Lazio te West Ham – 29 milionë


Të gjitha imazhet dhe videot janë të mbrojtura nga e drejta e autorit për pronarët e tyre përkatës